Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Trepça e pandalshme, mposht sërish Pejën

Gazeta10
09 March 2024 - 19:15

Trepça ka vazhduar serinë pozitive të rezultateve në basketbollin kosovar.

Fituesja në fuqi e Kupës së Kosovës, Trepça, të shtunën para shikuesve të vet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, fitoi thellë ndaj kampiones në fuqi, Pejës, me rezultatin 94:77.

Ishte ndeshja hapëse e xhiros së 24-t.

Për mitrovicasit ishte fitorja e 17-të rresht në Superligën e Kosovës në basketboll, dhe e 20-ta rresht në të gjitha garat. Arriti edhe tri fitore të njëpasnjëshme në Kupën e Kosovës kur triumfoi javë më parë.

“Xehetarët” të shtunën dominuan përballë pejanëve.

24:16 e fituan çerekun e parë, ndërsa periudha e dytë ishte e barabartë, 27:27.

Trepça shkoi në pushim me epërsi prej tetë pikëve, 51:43.

Loja e mirë e vendësve vazhdoi edhe në periudhën e tretë, kur fituan me rezultatin 23:16.

Çereku i fundit u mbyll me rezultatin 20:18.

Darnell Edge ishte i pandalshëm dhe më i dalluari në fitoren e Trepçës.

Ai ndeshjen e mbylli me 33 pikë, tri kërcime e katër asistime për 35 minuta në parket.

Kontribut të madh në fitore dha edhe Cevin Bracy-Davis me 18 pikë, dy kërcime e katër asistime.

Ishin të vetmit me pikë dyshifrore te skuadra që drejtohet nga trajneri Adis Beçiragiq.

Ndërkohë te Peja, lojë të mirë paty Larry Thomas me 15 pikë, tri kërcime e shtatë asistime.

Jimmy Hall e mbylli takimin me 14 pikë, shtatë kërcime e një asistim.

Trepça vazhdon të kryesojë në tabelë me 46 pikë, ku ka 22 fitore e dy disfata.

Peja është e dyta me 17 fitore e shtatë disfata dhe me 41 pikë të mbledhura.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.