
Presidenti amerikan Donald Trump është nisur drejt Kinës, ku pritet të zhvillojë një takim historik me presidentin rus Vladimir Putin dhe atë kinez Xi Jinping.
Sipas agjencisë Associated Press, Trump u largua të mërkurën nga Filipinet, pas një vizite në Manila, ku u takua me presidentin Ferdinand Marcos Jr.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin ka mbërritur në qytetin Shenzhen të Kinës, ku tashmë ka zhvilluar bisedime me homologun e tij kinez, Xi Jinping.
Takimi trepalësh ndërmjet liderëve të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës është planifikuar të mbahet të enjten, më 19 nëntor, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Ky takim konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm diplomatik, në një periudhë tensionesh ndërkombëtare dhe përplasjesh ndërmjet fuqive të mëdha.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, në agjendën e diskutimeve pritet të jenë çështjet e sigurisë globale, kontrolli i armëve bërthamore, lufta në Iran dhe zhvillimet lidhur me luftën në Ukrainë.
Megjithatë, qëndrimet për përfshirjen e Ukrainës në diskutime kanë qenë të ndryshme. Zyrtarët amerikanë fillimisht kishin sinjalizuar se kjo çështje nuk pritej të trajtohej, ndërsa Trump më pas ka deklaruar se synon ta diskutojë.
Presidenti amerikan ka shprehur interesim edhe për një takim të veçantë me Putinin, por një takim i tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Në anën tjetër, Putin dhe Xi Jinping kanë diskutuar për bashkëpunimin ekonomik, energjinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Gjatë paraqitjes në samitin APEC, presidenti rus kritikoi sanksionet ekonomike dhe kufizimet tregtare, duke theksuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve me vendet e rajonit Azi-Paqësor.
Ndërsa presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për tregti më të hapur dhe bashkëpunim më të madh ndërkombëtar, përfshirë zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Takimi i së enjtes pritet të jetë i pari i këtij formati ndërmjet Trumpit, Putinit dhe Xi Jinpingut.
Zhvillimet në Shenzhen po ndiqen me vëmendje ndërkombëtare, veçanërisht për shkak të ndikimit që marrëdhëniet ndërmjet tri fuqive mund të kenë në sigurinë globale dhe ekonominë botërore.