
Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10
Partitë opozitare dhe njohësit e ekonomisë në vend kanë ngritur shqetësime e kanë hedhur kritika për mosemërimin e anëtarëve të ri të bordit në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Sipas tyre, Trsuti rrezikon të humb miliona euro, për shkak se i njëjti është në mëshirë të tregjeve ndërkombëtare. Këto deklarata të opozitës i kanë quajtur spekulime nga partia që udhëheqë me pushtetin, derisa lëkundjet në humbje i kanë konfirmuar edhe vetë Trusti.
Dhjetëra miliona euro llogaritet të jenë humbjet që Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës i ka pësuar në muajin e fundit.
Madje, sipas opozitës, shqetësues mbetet edhe fakti që po zvarritet procesi i zgjedhjes së bordit të Trust-it, derisa fati i mjeteve pensionale të qytetarëve të Kosovës, sipas tyre, tani është në mëshirën e tregjeve globale.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala e ka quajtur papërgjegjësi të partisë në pushtet vonesat në emërimin e bordit të ri.
Kritika në drejtim të pushtetit ka hedhur edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
“Çmimi i njësisë së FKPK-së është në rënie nga 3 mars 2023 e këndej. Kjo po ndodh për shkak të disa sinjaleve për krizë të mundshme në tregjet financiare nga falimentimi i një banke në SHBA. Por, në mungesë të Bordit, nuk ka kush të marrë vendim për tërheqje të investimeve të Trustit Pensional nga tregjet financiare ku ka rënie. Kjo është papërgjegjësi. Në mungesë të Bordit, kursimet e mbledhura nga Trusti gjatë këtyre muajve nuk do të mund të investohen në tregje financiare.”, tha Avdullah Hoti – Deputet i LDK-së.
Ndërsa, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se mungesa e bordit nuk ndikon në performancën e kursimeve, derisa deklaratat e opozitës, i ka quajtur si spekulime.
Sa i përket rrezikut të investimeve, Kusari-Lila ka thënë se ato janë të investuara në tregjet financiare afatgjate dhe si të tilla janë të sigurta.
Luhatjet e forta që kanë pësuar kursimet pensionale në muajt e fundit i ka konfirmuar edhe vetë Trust-i.
“Kjo bëri që i gjithë kthimi pozitiv nga investimet në muajt janar e shkurt 2023 të zhvlerësohet dhe për periudhën 1 janar 2023 e deri më 20 mars 2023 (për datën e fundit që i kemi të dhënat në dispozicion) Portofoli Standard e ka një rënie prej -1.5% ose një kthim bruto prej rreth -36 milionë euro. Ndërsa për të njëjtën periudhë, Portofoli Konservativ ka një kthim pozitiv prej rreth +0.7% ose rreth 800 mijë euro, kjo meqë investimet e këtij portofoli janë në instrumente me kthim potencial dhe risk ndjeshëm më të ulët.”, thuhet në njoftimin e Fondi i Kursimeve Pensionale.
Njohësit e ekonomisë kanë vlerësuar se zvarritja e procesit të emërimit të anëtarëve të ri të bordit e ka bërë situatën në Trust edhe më shqetësuese.
Ndryshe, nga Banka Qendrore e Kosovës, në një përgjigje për Kanal10 kanë thënë se që nga marsi i vitit 2022 deri në janar të këtij viti, vazhdimisht kishte bërë kërkesë lidhur me procesin për anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Nga BQK-ja kanë thënë se pavarësisht shumë kërkesave, asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të ri të Trustit. /Gazeta10