
Raporti: Kanal 10
Tërmeti shkatërrues i 6 shkurtit në Turqi dhe Siri, po vlerësohet nga OBSh-ja si më i rëndi në 100 vjetët e fundit. Derisa, edhe tetë ditë pas, numri i viktimave vazhdon të rritet, duke shkuar në mbi 38 mijë. Kurse, ekipet e kërkim-shpëtimit, kanë nxjerrë nga rrënojat edhe disa persona pas me shumë se 200 orë qëndrimi nën to. Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kosovës, ka bërë të ditur se nuk ka shtetas kosovarë të vdekur nga tërmeti.
Persona të mbetur nën rrënoja po vazhdojnë të nxirren të gjallë, edhe 200 orë pas tërmetit të 6 shkurtit, që goditi Turqinë dhe Sirinë.
Sipas raportimeve, katër persona janë shpëtuar të martën, tetë ditë pas tërmetit shkatërrues.
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka thënë se tërmetet shkatërruese të javës së kaluar në Turqi e Siri, të cilët lanë të vdekur rreth 38 mijë njerëz, janë fatkeqësia më e keqe natyrore në 100 vjetët e fundit.
“Ne jemi dëshmitarë të fatkeqësisë më të keqe natyrore në rajonin evropian të OBSH-së në shekullin e kaluar dhe ne ende po mësojmë për shkallën e saj”, tha Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën.
Kluge shtoi se OBSH-ja kishte nisur dislokimin më të madh të ekipeve të ndihmës mjekësore në historinë 75-vjeçare të rajonit evropian të OBSH-së.
Nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë, kanë vdekur edhe 70 shqiptarë, derisa një familje shqiptare është nxjerr e gjallë nga rrënojat.
Këtë e bëri të ditur kryetari i shoqatës së Kulturës dhe Solidaritetit të Shqiptarëve, Evren Kaya.
Ai madje ka kritikuar Ambasadën e Kosovës në Turqi, duke thënë se nuk po u ndihmojnë familjeve të prekura nga tërmeti.
Mirëpo, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë e Kosovë, i ka reaguar Kayas, duke thënë se në mesin e viktimave nga tërmeti në Turqi, nuk ka shtetas kosovarë.
“Për sa i përket deklarimeve publike të z. Evren Kaya, kryetar i Shoqatës së Kulturës dhe Solidaritetit të Shqiptarëve të Turqi, se 70 shqiptarë janë në mesin e të vdekurve, ju njoftojmë se bëhet fjalë për familje/persona, që kanë shtetësi turke, por janë me prejardhje të vjetër shqiptare”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.
Po ashtu, MPJD-ja ka dhënë edhe disa detaje të tjera, duke thënë se dy studentë janë vendosur në konviktin universitar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Me datë 13 shkurt, Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është kontaktuar nga një familje nga Kosova që ka arritur të largohet nga qyteti Gaziantep në Ankara, dhe ka nevojë për fletë udhëtime për tu kthyer në Kosovë. Në pasditen e së hënës(13 shkurt), pas komunikimit sërishëm me ambasadën, familja kanë deklaruar se do të vendosin brenda dy ditësh se a do të udhëtojnë për Kosovë dhe rrjedhimisht të vazhdohet me përgatitjen e fletudhëtimeve”, theksohet në njoftim.
Ndërkohë, po vazhdon misionin e kërkim-shpëtimit, kontigjenti i FSK-së, i cili ndodhet në Turqi, ku deri me tani, ka nxjerrë nga rrënojat disa persona.
Për punën atje, presidentja Vjosa Osmani, ka falënderuar pjesëtarët që po marrin pjesë në këtë operacion, duke thënë se trimëria dhe vendosmëria e palëkundur e ushtarëve të FSK-së për të shpëtuar jetë nga rrënojat e tërmeteve shkatërruese në Turqi, ngjallë shpresë në tragjedinë që ka shkaktuar trishtim në çdo cep të botës.
“Heroizmi i treguar nga Forca jonë e Sigurisë na kujton dhembshurinë dhe solidaritetin e popullit tonë për të qëndruar krah për krah me miqtë tanë në kohë sfiduese. Faleminderit FSK që në tërë këtë dhimbje e trishtim, na jepni shkëndija shprese. Jemi krenar me ju!”, ka thënë Osmani.
Ndihmë për t’u përballë me pasojat e tërmetit, Turqisë e Sirisë, janë duke i dhënë një numër i madh i shteteve të botës, si në aspektin e dërgimit të ndihmave, po ashtu edhe me skuadra të kërkim-shpëtimit.