Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Rastet e dhunës në familje – Kryeprokuroria e Pejës kërkon mbikëqyrje më të madhe ndaj policëve

Gazeta10
03 November 2026 - 14:57

Ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, ka mbajtur takim me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefin e operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.

Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin ndërinstitucional, sigurinë publike në kuadër të kompetencës territoriale të Prokurorisë Themelore në Pejë, si dhe trajtimin me prioritet të rasteve të ndjeshme që përfshijnë viktimat, me theks të veçantë rastet e dhunës në familje dhe rastet që përfshijnë të miturit.

Sipas njoftimit, gjatë takimit, U.D. e Kryeprokurores, Valbona Disha-Haxhosaj, ka kërkuar nga zinxhiri komandues i Policisë rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të sigurimit të një qasjeje profesionale, të përgjegjshme dhe në përputhje me procedurat ligjore.

Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë, përkushtim dhe vëmendje të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat e dhunës në familje dhe të miturit.

“Në këtë drejtim, U.D. e Kryeprokurores ka theksuar rëndësinë e reagimit të shpejtë institucional, koordinimit të veprimeve dhe përfshirjes së të gjithë mekanizmave institucionalë kompetentë. Ajo ka kërkuar që, gjatë trajtimit dhe procedimit të rasteve që përfshijnë viktimat, veçanërisht viktimat e dhunës në familje dhe të miturit, të sigurohet prania dhe përfshirja e këtyre mekanizmave, në përputhje me rolin dhe përgjegjësitë e tyre ligjore, me qëllim të koordinimit të veprimeve dhe ofrimit të mbrojtjes efektive për viktimat.

Po ashtu, është theksuar rëndësia e fokusimit në parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore për të gjitha rastet që kërkojnë trajtim dhe ndjekje penale.

Në përfundim të takimit, palët kanë shprehur gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të ndërsjellë, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kriminalitetit, rritjes së sigurisë publike dhe zbatimit të ligjit”, theksohet në njoftim.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.