Në vazhdën e shumë anëtarësimeve në organizata dhe institucione ndërkombëtare të arsimit dhe jo vetëm, UBT së fundmi i është bashkuar rrjetit të 153 universiteteve nga 25 shtete të ndryshme të botës, si anëtari më i ri i Unionit të Universiteteve Mesdhetare (UNIMED – Mediterranean Universities Union).
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, me rastin e anëtarësimit të UBT-së në Unionin e Universiteteve Mesdhetare të cilat vijnë nga shtete të ndryshme të Evropës, ka thënë se institucioni të cilin ai e udhëheq fuqishëm po dëshmon promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare në organizata të ndryshme të arsimit dhe shkencës.
“Anëtarësimi i UBT-së në Unionin e Universiteteve Mesdhetare – UNIMED, është një lajm shumë i mirë për të gjithë ne, mbi të gjitha për Kosovën. Kjo pasiqë përmes këtij anëtarësimi po dëshmohet se Kosova ka mekanizma dhe se UBT ka cilësinë e nevojshme për të qenë krahë institucioneve më prestigjioze evropiane mesdhetare”, ka thënë rektori Hajrizi.
Ky anëtarësim mundëson bashkëpunimin e UBT-së me institucione dhe universitete të tjera në fusha të ndryshme në zonën euro-mesdhetare, duke përfshirë fushën shkencore, kulturore, sociale dhe ekonomike.
Unioni i Universiteteve Mesdhetare (UNIMED – Mediterranean Universities Union) i themeluar që nga vitet e 90-ta, numëron mbi 150 universitete nga 24 vende të ndryshme të Evropës dhe Mesdheut, e që ka për synim kërkimin dhe edukimin universitar në zonën euro-mesdhetare për të kontribuar në bashkëpunimin shkencor, kulturor, social dhe ekonomik./Gazeta10