Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

UBT-ja organizoi konferencën “Kosova dhe urbanizmi i ri”

Gazeta10
15 Shkurt 2023 - 19:53

Raporti: Arbenita Ilazi / Kanal10

Për nder të shënimit të 15 vjetorit pavarësisë së Republikës së Kosovës, UBT ka  organizuar konferencën “Kosova dhe Urbanizmi i ri”. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është siguruar lokacioni për projektin në vlerë mbi 60 milionë euro për energji diellore “Solar4Kosovo”. Ndërkaq, një nga objektet e kampusit të UBT-së është emëruar “Jim Xhema”, në nderim të kontributit të afaristit shqiptaro-amerikan.

Një urbanizëm që ka në vëmendje natyrën dhe njeriun, synohet të jetësohet në Kosovë.

Me qëllimet e tilla, Kolegji UBT, ka organizuar konferencën “Kosova dhe Urbanizmi i Ri: Qëndrueshmëria, Inovacioni, Teknologjia, Qëndrueshmëria dhe Investimet”.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se institucionet do të ndërtojnë politika që do të mundësojnë zhvillim të qëndrueshëm.

Ai ka thënë se është siguruar lokacioni për projektin në vlerë mbi 60 milionë euro për energji diellore “Solar4Kosovo”.

Gjithashtu, ai ka thënë se me mbi 60 milionë euro synojnë të përfundojnë pjesën më të madhe të punimeve në autostradën e Gjilanit, rrugën Prishtinë-Podujevë, Dollc-Gjakovë, Kievë-Zahaq dhe Prishtinë-Mitrovicë.

Kjo konferencë është mbajtur në një nga objektet e kampusit të UBT-së në Lipjan, që ka marrë emrin “Jim Xhema Building”, për kontributin dhe mbështetjen për liri dhe pavarësi të Kosovës të veprimtarit shqiptar që jeton dhe vepron në Amerikë.

Afaristi shqiptaro-amerikan, Jim Xhema ka thënë se edukimi është esencial për çdo vend që të ketë sukses për të përballuar ardhmërinë.

“Është imperativ që ju të merrni studimet shumë seriozisht, pa ju dhe gjeneratën që tani rritet në Kosovë ne do të jemi në situatë të vështirë që të zëvendësojmë gjeneratat e vjetra të njerëzve të mirë që jetuan këtu dhe luftuan për të arritur në këtë shkallë. Unë personalisht do të qëndroj i kyçur këtu me ju këtu dhe të marrë pjesë dhe ngris fonde personalisht dhe nga shokët e mi qe të sigurohemi qe ne i arrijmë qëllimet së bashku. Ne kemi arritur shumë por udhëtimi juaj është i gjatë.”, tha Jim Xhema – Veprimtar, afarist shqiptaro-amerikan.

Ndërkaq, rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi ka folur për rolin dhe rëndësinë e diasporës në profesionalizmin modern të urbanizmit.

Kjo konferencë është mbajtur në prag të shënimit të 15-të vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe është organizuar nga UBT, Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA”.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.