
Raporti: Egzona Shala/Kanal10
Për një vit kalendarik para Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës janë duke rrjedhur ujërat e zeza nga të cilat po lirohet kundërmim shumë i madh. Kalimtarët dhe punonjësit e bibliotekës thonë se një pamje e tillë nuk është e hijshme në një zonë kaq të frekuentuar. Nga ujësjellësi kanë thënë se nuk është në kompetencë të tyre. Derisa të njëjtën gjë kanë thënë edhe nga Komuna, por që kanë premtuar se do të intervenojnë në rregullimin e saj.
Ujërat e zeza tash e një vit janë duke rrjedhur në oborrin që e lidh Rektoratin dhe Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.
Studentë e qytetarë që kalojnë përmes kësaj rruge thonë se rrjedha e ujërave të zeza është i rrezikshëm për shkak të infektimeve të mundshme që mund të marrin.
E disa të tjerë e konsiderojnë si dështim institucional mos rregullimin e saj për një vit në një zonë që është e frekuentuar edhe nga vizitorët ndërkombëtar.
E bezdisshme kjo gjendje është bërë edhe për punonjësit e bibliotekës.
Avdi Lakna thotë se personalisht ka kërkuar nga ujësjellësi që të bëjnë intervenime, por ende nuk është ndërmarr asgjë.
Nga KRU Prishtina kanë thënë se kompetente për këtë çështje është Komuna e Prishtinës.
Por të kundërtën e thonë nga Komuna duke shtuar se kjo nuk është në kompetencë të tyre.
Drejtori i Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi ka thënë se edhe pse nuk është në kompetencë të tyre, ata do të intervenojnë në atë zonë.
Me probleme të ngjashme po ballafaqohen shumë qytetarë të Prishtinës në lokacione të ndryshme duke pritur ndihmën e institucioneve përkatëse për intervenime.