Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Urat i lidhin popujt, edhe policia duhet të largohet sikur KFOR-i

Gazeta10
11 August 2026 - 14:47

Njoftimi i KFOR-it për nisjen e tranzicionit gradual të pranisë së tij mbi urën kryesore mbi lumin Ibër u mirëprit dhe u vlerësua si lajm pozitiv, të paktën nga banorët shqiptarë të Mitrovicës.

Një ditë pas u dha ky lajm, të martën mbi urë u pa vetëm një patrullë e karabinierëve italianë, dhe disa të tjera të Policisë së Kosovës.

Ish- zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku tha se ky është një lajm i mirë sepse, sipas tij, urat lidhin njerëz.

Sadiku për KosovaPress tha se “lajm i mrekullueshëm” do të jetë hapja e urës.

“Mendoj urat lidhin njerëzit, urat lidhin popujt, urat… mendoj jo i kësaj ure që një kohë ka qenë po mendoj si simbol i ndarjes. Është lajm i mirë, është pjesë po mendoj e vazhdimit pasi veç çështja është për t’u ndjerë që një kohë të gjatë nuk ka pasur po mendoj ekscese ndëretnike. Është filluar po mendoj një pjesë normale, është lajm shumë i mirë, por lajmi do të jetë i mrekullueshëm ose do të mbërrijë aty nëse hapet ura po mendoj për qarkullim edhe mos të ketë nevojë për të mbikëqyrur qoftë ajo e miqve tanë ndërkombëtarë, ose qoftë edhe prej policisë”, tha Sadiku.

E sipas ish-gazetarit, Izedin Krasniqi ky proces tashmë ka një histori.

Krasniqi për KosovaPress tregoi se KFOR-i qyhs në janar të vitit 2005 kishte vendosur që patrullimet fikse të zëvendësohen me ato mobile, mirëpo i gjithë procesi ka zgjatur dhe ka pasur sfida e si pasojë, ka mbetur deri tash.

“Po ky proces është autorizuar tani e ka një histori, do të thotë nga janari i vitit 2005, në atë kohë KFOR-i ka vendosur masat e sigurisë, duke vendosur me i zëvendësuar patrullimet fikse me patrullime mobile, po dhe me bartjen e përgjegjësisë tek atëherë Policia e UNMIK-ut edhe Shërbimi Policor i Kosovës. Kjo është realizuar në atë kohë në dy pika, tek tri ndërtesat e larta, ku ka qenë një pikë statike, dhe tek Lagjja e Boshnjakëve. Ndërsa në Urën e Ibrit, në Urën Kryesore mbi lumin Ibër, kanë mbetur patrullimet e KFOR-it me tendencë që në fazat e ardhshme me përmirësimin e sigurisë të bartet përgjegjësia tek Policia e UNMIK-ut atëherë dhe SHPK-ja. Mirëpo procesi normal që ka pasur shumë sfida në mes dhe kanë mbetur deri këtë ditë që prapë po aktualizohet bartja e përgjegjësisë pak nga pak tek Policia e Kosovës”, tha Krasniqi.

Ndërsa qytetari Fetah Isufi tha se kalimi në duar të policisë kosovare është mjaftë pozitiv, derisa kujton momente nga fëmijëri tek Ura e Ibrit.

“Kjo urë është shumë e vjetër e mbaj mend unë kur ka qenë, ka qenë gjysma me gurë edhe ura na ka lidhur. Por të tregoj edhe kurrë sa herë iknim prej shkollës, vinim këtu, këtu ka pasur plazh si plazh, në atë kohë. Por lufta e bëri të vetën. Shumë është pozitive edhe le të dinë edhe serbët, edhe shqiptarët që kjo është për të mirë, nuk është për të keq”, tha Isufi.

E qytetari Lindi Haruqi mendon se KFOR-i do të duhej të tërhiqej qysh para dy-tri vitesh.

“Mendoj që është pozitive. Mendoj që KFOR-i është dashur të largohet para dy ose tri viteve të fundit. Mendoj që ka qenë një proces politik dhe i vonuar. Po megjithatë nuk është vonë, është mirë që sigurinë e qytetit të Mitrovicës po e merr Policia e Kosovës. Mendoj që është pozitive për të gjithë banorët që janë pjesa e jugut edhe në atë veriore, është pozitive”, vlerësoi Haruqi.

Ndërkohë Ferid Shala thotë se erdhi sot Rahoveci në Mitrovicë për të parë nga afër situatën dhe e cilësoi si pozitiv faktin që më nuk ka “bllokada”.

“Kam ardhur me me një grup miqsh, shokësh dhe bashkëpunëtorësh. Kemi ardhur me këqyrë që i ka ardhur koha mbarimit të kësaj ure. Me i ardhur fundi, sepse nuk ka më ura të bllokuara. Ne do të ndërtojmë ura që do të kalojmë nga njëra anë e shtëpisë, nga njëra anë në anën tjetër, kështu që është bërë punë fort e mirë. Qytetarët le të lëvizin lirshëm, është e drejtë kushtetuese. S’ka më bllokada këtu, bllokime të tilla”, theksoi Shala.

KFOR njoftoi të hënën se ka nisur transferimin gradual të përgjegjësisë së sigurisë te policia kosovare edhe të Manastirit të Deçanit. /KP

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.