Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Varhelyi për Asociacionin: Drafti i Ekipit Menaxhues të jetë pikënisje për diskutime

Gazeta10
10 May 2023 - 18:59

Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10                                                                                                             

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, të enjten do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, për përgatitjet e hapave të ardhshëm në dialogut. Sa i përket këtij procesi, evropianët kanë thënë se draft-statuti për Asociacionin, i përgatitur nga ekipi menaxhues, do të jetë pikënisje për diskutimet e ardhshme.

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian vazhdojnë ta konsiderojnë si pikënisje për diskutimet e ardhshme draft-statutin për Asociacionin, të hartuar nga ekipi menaxhues.

Megjithëse, ky ekip i përbërë nga katër serbë është shkarkuar nga Qeveria e Kosovës, dokumenti i prezantuar nga ta, konsiderohet i vlefshëm për Brukselin zyrtar.

E në vazhdën e këtyre ngjarjeve, të enjten do të qëndrojë në Kosovë, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili një ditë më pas do të vizitojë edhe Serbinë.

Vizita e Lajçakut synon të përgatisë hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Sa i përket këtij procesi, gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian, komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, ka deklaruar se dialogu ka pasur përparim gjatë vitit të fundit, duke ftuar Kosovën dhe Serbinë që t’i zbatojnë detyrimet e tyre.

Por, njohës të zhvillimeve politike kanë thënë se draft-statuti i prezantuar nga ekipi menaxhues nuk duhet të merret si pikënisje për diskutimet e mëtejshme të palëve.  

Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq është mbajtur më 2 maj në Bruksel, ku është miratuar Deklarata për të Pagjeturit, derisa nuk ka pasur pajtim rreth draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pas këtij takimi, Qeveria e Kosovës e ka shkarkuar ekipin menaxhues që e ka përpiluar këtë draft-statut, pasi që ajo ka vlerësuar se me të krijohet një Republika Srpska në Kosovë, për çka ekzekutivi i vendit ka propozuar një draft-version të bazuar në modelin kroat për trajtimin e komunitetit serb.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.