Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Vazhdojnë gërmimet në Kalludër, po hetohen dyshimet për një varrezë masive

Gazeta10
30 July 2026 - 10:08

Gërmimet në zonën malore të fshatit Kalludër, në Zubin Potok, po vazhdojnë edhe sot, në kuadër të hetimeve të Prokurorisë Speciale, pas gjetjes së mbetjeve mortore njerëzore në këtë lokacion.

Operacioni, i cili nisi më 28 korrik, po zhvillohet nën dyshimet se në këtë zonë mund të ndodhet një varrezë masive me trupat e civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Ekipet e angazhuara po vazhdojnë gërmimet dhe ekzaminimet në terren, ndërsa pritet që mbetjet e gjetura t’i nënshtrohen analizave mjeko-ligjore dhe të ADN-së.

Hetimet morën një tjetër zhvillim pas arrestimit të dy personave të nacionalitetit serb, të cilët dyshohen për krime lufte në lidhje me këtë rast.

Sipas dyshimeve të deritanishme, lokacioni mund të lidhet me zhdukjen e 23 shqiptarëve, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, shumica nga Mitrovica. Ata u ndaluan më 19 prill 1999 nga forcat serbe, teksa po largoheshin drejt Malit të Zi, dhe që nga ajo kohë nuk është zbardhur fati i tyre.

Kanal10 ishte media e parë që raportoi nga vendi i ngjarjes më 28 korrik, kur nisën veprimet në këtë lokacion, ndërsa po vazhdon të përcjellë nga afër zhvillimet dhe hetimet që po zhvillohen në terren./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.