
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, ka vdekur sot në moshën 76 vjeçare.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka konfirmuar lajmin, duke shkruar se Kosova do ta kujtojë gjithmonë veprën dhe kontributin e Brovinës.
Brovina ishte një prej figurave të njohura publike në Kosovë, ndërsa gjatë karrierës së saj u angazhua në fushën e mjekësisë, letërsisë dhe të drejtave të njeriut.
Më 20 prill të vitit 1999 u rrëmbye në banesën e saj nga paramilitarët serbë dhe u dërgua në burgun e Pozharevcit në Serbi, ku më pas u dënua me 12 vjet burg.
Pas presionit ndërkombëtar, u lirua dhe u kthye në Kosovë në vitin 2000.
Që nga ajo kohë u angazhua në punë humanitare dhe në aktivitete politike.
Botoi disa libra me poezi: “Verma emrin tim” (1973), “Bimë e zë” (1979), “Mat e çmat” (1995). Poezitë e saj janë përfshirë në antologji dhe janë përkthyer në disa gjuhë.
Ajo kishte shërbyer për disa mandate edhe si deputete e Kuvendit të Kosovës dhe ishte pjesë e skenës politike për shumë vite.