
Ylli i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, ka folur për “Radioestadio” pasi shënoi golin e fitores për Mallorcan të mërkurën mbrëma kundër Atletico Madridit.
Në këtë intervistë, Muriqi ka folur për jetesën e vështirë që e kishte pasur në Kosovë në periudhën e pasluftës, transmeton Gazeta10.
“Kam filluar të punoj që nga mosha nëntëvjeçare. Kam punuar në shumë gjëra, kam jetuar luftën në Kosovë dhe kam parë gjëra që asnjëri nuk duhet t’i shohë”, tha fillimisht Muriqi.
Muriqi ka folur edhe për nofkën e tij ‘Pirati’ dhe për festën duke e mbyllur syrin si pirat.
“Më thonë pirat, për këtë arsye është ky festim. Nuk mendoj se jam ende një idhull në Mallorca. Kam shtatë muaj, por shpresoj që ta përfundojë karrierën time këtu”, përfundoi sulmuesi Dardan.
Muriqi po kalon në formë të jashtëzakonshme me Mallorcan, ku ka realizuar pesë gola në pesë ndeshjet e fundit.
28-vjeçari është golashënuesi i dytë më i mirë në kampionatin spanjoll këtë edicion, me tetë gola të realizuara. /Gazeta10/