Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Vela sfidon Hotin: Publiko vendimin e emërimit të Sejdiut si këshilltar politik – nuk ekziston

Gazeta10
08 September 2026 - 10:00

Blerim Vela, ish-Shef i Stafit të ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj deklaratave të ish-kryeministrit Avdullah Hoti lidhur me angazhimin e profesorit Bekim Sejdiu në Zyrën e Presidentes.

Vela në një postim në X shkruan se deklarata e Hotit se Sejdiu ka ushtruar detyrën e këshilltarit politik të Presidentes është e pasaktë.

“Si Shef i Kabinetit të Presidentes së Republikës së Kosovës gjatë viteve 2021–2023, kam qenë drejtpërdrejt i përfshirë në procesin e angazhimit të prof. Bekim Sejdiut në Zyrën e Presidentes.”

Prandaj, deklarata e ish-kryeministrit Avdullah Hoti se prof. Sejdiu ka ushtruar detyrën e këshilltarit politik të Presidentes është e pasaktë dhe një insinuatë që nuk i shërben seriozitetit minimal të debatit publik”, shkruan Vela.

Sipas tij, Sejdiu ishte angazhuar si ekspert i jashtëm përmes programit të mbështetjes së Qeverisë së Norvegjisë për institucionin e Presidencës, të zbatuar nga BPRG dhe se ky angazhim nuk përbën emërim në funksion politik si këshilltar i Presidentes dhe as marrëdhënie pune me Presidencën.

“Ky është model i njohur i asistencës ndërkombëtare, pjesë e programit të njejtë që mundësoi angazhimin e ekspertëve të jashtëm në dialog nga Qeveria e Kosovës, përfshirë Veton Surroin, Blerim Shalën dhe shumë ekspertë të tjerë, me mbështetje norvegjeze përmes BPRG.

Gjatë kohës sime në Presidencë, përmes të njëjtit mekanizëm, përveç prof. Sejdiut u angazhuan edhe tre ekspertë të tjerë të jashtëm. Asnjëri nuk ishte këshilltar politik i emëruar. Kontributi i prof. Sejdiut lidhej kryekëput me ekspertizë për çështje të interesit shtetëror.

Vlen të theksohet se prof. Sejdiu ka punuar në çështjen e modaliteteve të raporteve me Vatikanin, në komunikimin me SHBA dhe në angazhimet që lidhen me raportet me Turqinë, përfshirë çështjen e dronëve. Angazhimi i tij kishte ardhur edhe me sugjerim të partnerëve ndërkombëtarë”, ka shkruar tutje ish-këshilltari Vela.

Ai tutje ka thënë se e sfidon Hotin që të publikojë vendimin për emërimin e prof. Sejdiut si këshilltar politik.

“E sfidoj z. Hoti që të publikojë vendimin për emërimin e prof. Sejdiut si këshilltar politik. Një vendim i tillë nuk ekziston. Kjo konfirmohet edhe nga deklarimi i pasurisë: prof. Sejdiu nuk i është nënshtruar këtij detyrimi, pikërisht sepse nuk ka qenë këshilltar politik. Debati publik duhet të bazohet në fakte dhe dokumente, jo në pretendime”, shkruan Vela.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
08 September 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.