
Gjykata e Prishtinës i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Fatmir Shehollit, i dyshuar për spiunazh.
Vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tij, e ka bërë të ditur, zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.SH. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të Spiunazhit në vazhdimësi, gjyqtarja e procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, përmes Aktvendimit të datës 08.05.2026 ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtit iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj.”- thuhet në përgjigjen e Gashit.
Në përgjigjen e Gashit, thuhet se sipas këtij aktvendimi, paraburgimi ndaj Shehollit llogaritet prej datës 08.05.2026 deri më 07.07.2026.
Fatmir Sheholli u arrestua më 09.10.2025 nën dyshimet për spiunazh. Më 10.10.2025, Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Më 07.11.2025, atij iu vazhdua paraburgimi edhe për dy muaj. Më 09.01.2026, Gjykata e Prishtinës i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë. Dhe më 09.03.2026, Shehollit iu vazhdua masa e paraburgimit edhe për dy muaj.
Sheholli dyshohet se për një kohë ka vepruar sipas udhëzimeve dhe urdhrave të zyrtarit të lartë të BIA-s serbe, Bojan Dimiç.