Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10
Pas 45 minutave pritje për konferencë shtypi, mediet kanë vendosur që ta bojkotojnë konferencën për shtyp të ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci. Gazetarët kanë thënë se kjo nuk është hera e parë që ekzekutivi vonohet për konferenca. Nga ekzekutivi i vendit kanë shprehur vetëm keqardhje.
Brenda mbanin mbledhje, por edhe pas përfundimit të saj, qeveritarët i lanë të prisnin rreth 45 minuta gazetarët dhe kameramanët, për të përcjellë konferencën e paralajmëruar për media.
Këtyre praktikave të shpeshta të ekzekutivit kosovar, të mërkurën, u janë përgjigjur përfaqësuesit e mediave, të cilët kanë vendosur ta bojkotojnë konferencën e ministrave Hekuran Murati e Arbërie Nagavci.
Një veprim të tillë, ata e kanë marr pas vonesave të shumta të kabinetit qeveritar dhe mos shpjegimeve për pritjet e tyre të gjata.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka përkrahur këtë bojkot të gazetarëve e kameramanëve, duke thënë se vonesat prej njëorëshe ndikojnë shumë në punën voluminoze të mediave.
Këtë bojkot të gazetarëve dhe kameramanëve e ka përkrahur edhe juristja e mediave, Flutura Kusari.
“Protesta e juaj përmes bojkotimit është kërkesë për t’iu respektuar dinjitetin e juaj dhe profesionin që e keni jashtëzakonisht të vështirë. Kjo është më e pakta që mund të bëjë qeveria për ju. Për ata që nuk e dinë, gazetarët që disa herë detyrohen të presin shumë gjatë pas mbledhjes së qeverisë, derisa ministrat e kryeministri t’i kryejnë muhabetet e tyre.”
Pas situatës së krijuar, Qeveria e Kosovës, ka shprehur keqardhje, duke shtuar se një gjë e tillë ka mundur të shmanget.
“Shprehim keqardhje për atë që ndodhi sot. Vonesat në fillimin e konferencës për media ishin të arsyeshme meqë pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë kishte një takim të brendshëm të kabinetit qeveritar. Mbajtja e konferencës pas mbledhjes së Qeverisë ishte paralajmëruar paraprakisht. Me gjithë konsideratën për punëtorët e medieve që ishin prezent në ndërtesën e Qeverisë, besoj shumë që kjo situatë ka mundur të shmanget. Konferencat për media pas mbledhjes së Qeverisë janë me interes për publikun. Sot nuk pati konferencë për media sepse interesi publik nuk u vendos në rend të parë”, ka shkruar Përparim Kryeziu – Zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.
Në solidarizim me të gjithë gazetarët e Kosovës, Kanal 10 ka vendosur që mbledhjen e Qeverisë dhe vendimet e miratuara të mos i transmetojë.