
Charlie Kirk, një nga figurat më të njohura të lëvizjes konservatore amerikane dhe bashkëthemelues i organizatës Turning Point USA, u vra me armë zjarri të mërkurën gjatë një fjalimi në Universitetin e Luginës së Utah-ut.
Ngjarja tragjike ndodhi në prani të qindra pjesëmarrësve, ndërsa dëshmitarët raportuan për një siguri të kufizuar në ambientet përreth.
FBI, në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe shtetërore, ka nisur një hetim të plotë dhe i ka bërë thirrje publikut që të ndajë çdo informacion, foto apo video që mund të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, përmes një formulari online të publikuar në platformën X.
Një dëshmitar okular, Skyler Baird, tha për mediat se ndodhej vetëm 15 metra larg Kirk në momentin e të shtënave dhe menjëherë e kuptoi se ai nuk do t’i mbijetonte plagëve. Ai theksoi se, ndonëse kishte sigurim afër folësit, ambienti i përgjithshëm i kampusit nuk kishte masa të dukshme sigurie.
Ngjarja ka shkaktuar një reagim të gjerë në të gjithë Shtetet e Bashkuara, ku janë organizuar vigjile dhe lutje në nder të Kirk, përfshirë edhe një moment heshtjeje nga ekipi i bejzbollit New York Yankees.
Në Arizona, grupi “Catholics for Catholics” organizoi një lutje publike në Scottsdale, qyteti ku Kirk banonte, ndërsa vigjile të tjera janë mbajtur në Seattle, Washington D.C., Oklahoma dhe Texas A&M.
Presidenti Donald Trump reagoi përmes një video-mesazhi të publikuar nga Zyra Ovale, duke e quajtur vrasjen e Kirk një “atentat të ndyrë” dhe një “moment të errët për Amerikën”.
Ai e përshkroi Kirk si “një dëshmor për të vërtetën dhe lirinë” dhe lidhi vrasjen me një valë dhune politike që, sipas tij, po nxitët nga “retorika e së majtës radikale”.
Trump premtoi se administrata e tij do të identifikojë dhe ndëshkojë jo vetëm autorët e këtij krimi, por edhe ata që kontribuojnë në klimën e dhunës politike në vend. Ai theksoi se është koha që si publiku, ashtu edhe media, të përballen me realitetin se demonizimi i kundërshtarëve politikë mund të sjellë pasoja tragjike.
Ndërkohë, hetimet për ngjarjen vazhdojnë dhe autoritetet mbeten të angazhuara për të identifikuar autorin dhe motivin pas këtij akti që ka tronditur opinionin publik amerikan.