
“Arrest me burg” ka caktuar Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër për Zyber Zagradi, kamarieri i plagosur dhe Mario Pali, të dyshuar si bashkëpunëtor të autorëve të dyshuar të vrasjes së dyfishtë në Velipojë.
Zagradi dhe Mario Pali deklaruan në sallën e gjyqit se ata kanë ardhur në momentin pasi kishte nisur konflikti mes vëllezërve Frroku dhe dy viktimave Ersild Ishmi dhe Arsid Hoxha. Më tej ata shtuan se e kanë parë shtetasin Edmir Frroku duke qëlluar ndërsa u shprehën se nuk e kanë patur idenë se si ka nisur konflikti mes tyre sepse mbërritën më vonë aty.
Avokati mbrojtës Simon Pashku kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe vleftësimin e paligjshëm të ndalimit të tyre ndërsa prokurori Albert Murçaj kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” të cilën gjyqtarja Arta Llazari e pranoi.