Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Vrau nënën e tij në Pejë, i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

Gazeta10
11 May 2023 - 11:43

Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj, ndaj të dyshuarit U.H, për vrasjen që ndodhi para katër javësh.

Gjykata i kishte caktuar fillimisht 30 ditë paraburgim pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë.

Gjykata kishte njoftuar më 15 prill të këtij viti,  se të pandehurit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, pasi konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, duke pasur parasysh se i pandehuri është duke u hetuar për vepër të rëndë penale për të cilën Kodi Penal ka paraparë dënim me burgim jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Më 14 prill, U.H dyshohet se në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë ka vrarë nënën e tij. Pas rastit tragjik, prokurorja Sahide Gashi ka thënë se kanë siguruar dëshmitarë okularë dhe se i dyshuari nuk mund të fliste.

Vrasja e 58-vjeçares kishte tronditur vendin dhe kishte nxitur reagime të shumta. E nga shoqëria civile kanë kërkuar që të bëhet më shumë për mbrojtjen e grave.

“Të pandehurit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, pasi që gjykata konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, duke pas parasysh se i pandehuri është duke  u hetuar për vepër të rëndë penale për të cilën Kodi Penal ka paraparë dënim me burgim jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dhe se i pandehuri posedon leje qëndrimi jashtë shtetit, rrethana këto të  cilat gjykata ka vlerësuar se tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve. Po ashtu, duke pas parasysh peshën e veprës penale, mënyrën tejet mizore të kryerjes së veprës penale nga ana e të pandehurit, pasojat e rënda të kësaj vepre si dhe faktin se në këtë çështje pritet që të dëgjohen dëshmitarët okular të cilët janë familjarë të pandehurit, gjykata vlerësoj se të gjitha këto janë rrethana të posaçme që tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes, do të mund të përsërisë veprën e njëjtë apo të ngjashme penale apo do të mund të ndikoj në dëshmitarë dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve por edhe procedurës penale në përgjithësi”, thuhet në njoftim.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.