
Presidenti i deritanishëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dha dorëheqjen nga posti i të parit të shtetit serb, në mbrëmjen e 27 shtatorit.
Ai dha dorëheqjen të dielën për të marrë pjesë në garën për postin e kryeministrit si kandidat i partisë së tij, Partisë Përparimtare Serbe (SNS).
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare ai i kishte shpallur më herët për 25 tetor.
Vuçiq u tërhoq nga posti i kreut të shtetit serb tetë muaj para përfundimit të mandatit të tij presidencial, i cili sipas ligjit do të përfundonte në maj të vitit 2027.
Vuçiq është zgjedhur dy herë president i Serbisë.
Meqë Kushtetuta e Serbisë nuk lejon një mandat të tretë, ai nuk do të mund të kandidonte sërish.
Pas dorëheqjes së Vuçiqit, Serbia do të ketë ushtrues detyre të presidentit të shtetit.
Këtë detyrë do ta marrë Ana Brnabiq, kryetare e deritanishme e Kuvendit të Serbisë, i cili u shpërbë pas shpalljes së zgjedhjeve parlamentare.
Ajo mund të qëndrojë në këtë detyrë për më së shumti tre muaj.
Vuçiq tha në një adresim për publikun se rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet deri në fund të dhjetorit.