Kontaktoni

info@gazeta10.com

Uncategorized

“Zbatimi i Marrëveshjeve dhe Asociacioni” -Krerët e shtetit i thonë “po” kërkesave të Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Gazeta10
25 Mars 2024 - 16:19

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e Kryeparlamentari Glauk Konjufca  përmes një letre dërguar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis janë shprehur të gatshëm të respektojnë masat që i kërkohet Kosovës për tu bërë pjesë e këtij Këshilli.

“Në letrën tuaj të datës 21 mars 2024, ju na i ofruat ‘zotimet e propozuara të cilat Kosovës do t’i kërkohen që t’i respektojë porsa të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës’. Korrespondenca juaj tregon se kjo listë, që kërkon një përgjigje nga institucionet shtetërore të Kosovës, përbën një përbërës integral të procesit tonë të aplikimit dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës” thuhet në letrën që është nënshkruar nga tre krerët institucionalë.

Në letrën e siguruar nga Kanal10, krerët shprehen falënderues për kontributin e dhënë në këtë rrugëtim, duke theksuar se do të respektojnë listën e zotimeve të shprehura bashkangjitur letrës, raporton gazeta10.

“Në këtë kontekst, duke e marrë parasysh dhe mbi bazën e së drejtës kushtetuese të Kosovës, ne do të donim që ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’ju informuar se ne do ta respektojmë besnikërisht listën e zotimeve të treguar në Shtojcën I të letrës suaj të datës 21 mars 2024 pas bërjes së Kosovës shtet anëtar i Këshillit të Evropës. Ne ju falënderojmë për bashkëpunimin tuaj, përderisa presim që ta fuqizojmë bashkëpunimin përmes anëtarësisë së plotë në Këshillin e Evropës”, është thënë në letër qe ka siguruar Kanal10.

Në shtojcën e bashkangjitur në letër janë renditur propozimet të cilat krerët shtetëror janë zotuar se do t`i përmbushin pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Ndër të tjera është përmendur edhe zbatimi i Marrëveshjet se Brukselit dhe të Ohrit që përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

 “Ta sigurojmë zbatimin efikas të kornizës ligjore për mbrojtjen e pakicave kombëtare; Të bëjmë hapa substancialë e të prekshëm me synim të zbatimit të të gjitha neneve të Marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit, që e përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sa më shpejt që është e mundshme; Ta adresojmë urgjentisht mungesën e një qasjeje gjithëpërfshirëse e të bashkërenduar për çështjet dhe të drejtat e pakicave. Një qasje e tillë duhet të zhvillohet dhe të zbatohet në bashkëpunim me të përfshirët dhe në mënyra që i pasqyrojnë nevojat specifike të komuniteteve të ndryshme”, thuhet në shtojcë, duke u përmendur edhe burimet adekuate për Zyrën e Komisionarit të Gjuhëve.

Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës,  Dora Bakoyannis pak ditë më parë përmes një raporti 26 faqësh i ka rekomanduar Këshillit të Ministrave pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës./Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.