Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Zgjedhja e Presidentit, Hamza: Do i përshtatim qëndrimet sepse jemi në rrethana të reja, i gatshëm për takime tjera

Gazeta10
25 September 2026 - 19:48

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se zhvillimet e reja politike pas 16 shtatorit kanë krijuar një situatë të re, mbi bazën e së cilës, sipas tij, partia do t’i përshtatë qëndrimet e saj edhe për çështjen e zgjedhjes së Presidentit.

Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, Hamza u pyet nëse qëndrimi i partisë për Presidentin do të ndryshojë, duke marrë parasysh situatën e krijuar pas 16 shtatorit.

“Jemi në rrethana të reja. Jemi në rrethana të reja, jemi në gjendje të re, një gjendje që nuk ka të bëjë veç me të kaluarën, nuk ka të bëjë me individë, ka të bëjë me shtetin dhe ka të bëjë me të ardhmen e shtetit. Dhe mbi bazën e këtyre rrethanave të reja ne normalisht se i ndërrojmë edhe i përshtatim edhe qëndrimet tona për çështje të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen dhe me stabilitetin e shtetit”, tha Hamza.

I pyetur nëse PDK-ja do ta mbështeste një kandidat për President nga Lëvizja Vetëvendosje, Hamza tha se nuk dëshiron të flasë për skenarë hipotetikë pa u paraqitur një propozim konkret.

Ai theksoi se është i gatshëm të zhvillojë takime me liderët e partive politike, duke bërë të ditur se tashmë është takuar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e AAK-së, Ardian Gjini.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.