
Politologu Milazim Koci, në emisionin Gazeta tha se përsëritja e zgjedhjeve në Kosova nuk pritet të sjellë ndryshime thelbësore në skenën politike.
Sipas tij, arsyeja kryesore qëndron tek fakti se në garë mbeten të njëjtët akterë politikë, me të njëjtat qasje dhe mentalitet politik.
“Absolutisht sepse të njëjtit akterë janë dhe asgjë nuk do të ndryshojë. Janë ato parti, ato personalitete, ai mentalitet që karakterizohet me mungesë kompromisi, mungesë pragmatizmi dhe, mbi të gjitha, mungesë të kulturës politike,” tha Koci në Gazeta.
Koci theksoi se problematikë e veçantë mbetet edhe keqkuptimi i nocionit të kuorumit, jo vetëm në opinionin publik, por edhe brenda vetë klasës politike.
Ai sqaroi se kuorumi në Kushtetutë nuk është menduar si faktor bllokues, por si një mekanizëm garantues për balancë politike.
“Në shikim të parë mund të duket si faktor bllokues, por është vendosur si mekanizëm që garanton se një parti, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje me 51%, të mos marrë të gjitha pushtetet, por të detyrohet të bëjë kompromis me opozitën,” deklaroi Koci.
Ai shtoi se ky mekanizëm është përfshirë gjatë hartimit të Kushtetutës, me ndikimin dhe sugjerimet e faktorëve ndërkombëtarë, me qëllim forcimin e demokracisë dhe balancimit të pushteteve në vend.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/0aG4Ldw9aQc