Kriza e zjarreve në Greqi po përshkallëzohet mes temperaturave përvëluese të këtij Korriku.
Hartës së zjarreve të shtrira në të gjithë vendin i janë shtuar edhe disa vatra në ishullin e Korfuzit, siç duket edhe në këto pamje.
Zjarret përfshinë disa zona pyjore pranë resorteve turistike duke detyruar autoritetet të evakuojnë banorët e zonave dhe turistët.
Mediat greke thonë megjithatë se situata është nën kontroll, ashtu si edhe në vatra të reja të shfaqura në ishullin Eubea. Ndërsa në ishullin e Rodosit, situata vijon të jetë emergjente.
Më shumë se 19 mijë persona, shumica turistë të huaj janë evakuuar deri më tani. Vende si Britania e Madhe, një prej vendeve kryesore të origjinës së turistëve në Greqi, ka angazhuar disa avionë për të larguar shtetasit e saj nga zonat e përfshira nga flakët.
Me mijëra të tjerë janë akomoduar nëpër ndërtesa që nuk rrezikohen nga flakët. Ndihmë të rëndësishme për vënien nën kontroll të zjarreve në ishull po japin edhe avionët dhe helikopterët turq, që u dërguan në fundjavë siç premtoi presidenti turk Rexhep Taip Erdogan./tvklan