
Raporti: Fjolla Xheladini / Kanal10
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka marrë vendim për caktimin e komisionit për hartimin e Udhëzimit Administrativ, të cilët do të përgatitin procedurat për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve, të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit. Gazeta 10, ka siguruar vendimin ku thuhet se grupi punues mbështet nga zyra e BE-së, përfaqësues të ambasadave dhe OSBE-ja.
Pavarësisht kushtit, që së pari heqja e sanksioneve, e pastaj organizimi i zgjedhjeve në veri, Qeveria e Kosovës ka nisur procedurat që i hapin rrugë një procesi të ri zgjedhor në atë pjesë.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka marrë vendim për caktimin e komisionit i cili do ta hartojë udhëzimin administrativ, përmes të cilit do të përgatiten procedurat për iniciativën e qytetarëve për largimin e katër kryetarëve në veri.
Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, ky grup duhet ta finalizojë projekt udhëzimin administrativ deri me 1 shtator 2023.
Në vendimin e siguruar nga Gazeta 10, thuhet që grupi punues do të mbështetët nga zyra e BE-së, përfaqësues nga ambasadat dhe OSBE-ja.
Ndërkohë, ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, vlerëson se një vendim i tillë është sipas kornizave ligjore, pasi shkarkimi i tyre mund të bëhet edhe përmes organizimit të një peticioni nga qytetarët.
Ferati ka shtuar se Qeveria ka pasur edhe forma tjera, duke kërkuar me mirëkuptim largimin e tyre, pas presioneve ndërkombëtare.
Ndërsa, kryesuesi i kuvendit komunal në Mitrovicë të Veriut , Nexhat Ugljanin, vendimin e Qeverisë e ka quajtur si kundër-kushtetues.
Faktori ndërkombëtar vazhdimisht ka bërë thirrje për riorganizim të zgjedhjeve në katër komunat veriore me pjesëmarrje të Listës Serbe.
Por që kryeministri, Albin Kurti kishte deklaruar se nuk do ketë zgjedhje të reja pa heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.
Ndërsa nga Lista Serbe kishin thënë që nuk do marrin pjesë në zgjedhje pa plotësimin e kërkesave të tyre.