
Zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Zogiani, ka sqaruar situatën lidhur me pretendimet mbi mbylljen e restorantit buzë liqenit të Radoniqit.
Sipas tij, operatori ka pranuar njoftim për mbyllje, me procesverbalin që është përcjellë nga inspektorati, te KRU “Gjakova”, si pronar legjitim i pronës, e më pas te pronari i restorantit.
“Në lidhje me pretendimet e operatorit në Liqenin e Radoniqit, se nuk ka marrur asnjë njoftim për mbylljen e aktivitetit, duam të sqarojmë se procesverbali i Inspektoratit të MMPH i është dorëzuar pronarit legjitim të pronës, KRU “Gjakova”, e cila tashmë e ka përcjellë atë te biznesi, ndërsa vendimi zyrtar i Ministrisë dorëzohet ditën e hënë nga Inspektorati” shkroi Zogiani.
Ministrja në detyrë me MMPH-së, Fitore Pacolli, dje njoftoi se Inspektorati i Mjedisit ka urdhëruar mbylljen e aktivitetit të restorantit dhe hotelit “Liqeni i Dukagjinit”, duke thënë se ndodhet në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit dhe ka funksionuar në kundërshtim të plotë me legjislacionin mjedisor.
“Ky aktivitet ka qenë në shkelje flagrante të Ligjit për Ujërat, Vendimit 09/127 të Qeverisë për caktimin e zonave sanitare të Liqenit të Radoniqit dhe akteve të tjera nënligjore, duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm” deklaroi dje Pacolli.