
Raporti: Egzona Shala / Kanal10
Të hënën janë larguar telat gjemborë në Zveçan, me të cilët KFOR-i, kishte rrethuar objektin e komunës, ani se ende po vazhdojnë protestat e serbëve. Po ashtu, gjatë ditës, policia e Kosovës konfirmoi se është sulmuar një veturë e policisë. Derisa në komunën e Leposaviqit vazhdon të qëndrojë brenda objektit, kryetari, Lulzim Hetemi.
Edhe kjo javë, në tri komunat veriore, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, nisi me protesta të serbëve, të cilët po i kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur me 23 prill.
Në Komunën e Zveçanit, të hënën, në ditën e 11 të protestave, u larguan telat gjemborë nga pjesëtarë të KFOR-it.
Ndonëse orët e para ishin të qeta, në mesditë situata filloi të tensionohet nga protestuesit serb, të cilët e bllokuan një veturë të policisë së Kosovës, e cila sipas zyrtarëve policor, e ka ngatërruar rrugën.
Gjatë kohës sa protestuesit nuk lironin rrugën e madje vendosen edhe ulëse, njëri nga zyrtarët policor kërkoi ndihmë nga KFOR-i që të hapen barrikadat dhe vetura të kthehej mbrapa.
E lidhur me këtë çështje, zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë se po e njëjta makinë është sulmuar, duke iu thyer xhamat.
“Mund të konfirmojmë se, një veturë policore e cila ka qenë me detyrë zyrtare duke patrulluar në drejtim të Komunës së Zveçanit, është penguar dhe sulmuar me mjete te forta nga protestuesit. Si pasojë e sulmit me mjete të forta (gurë), veturës i është thyer xhami, dhe se e njëjta është larguar nga ai lokacion. Nuk raportohet për të lënduar, përderisa rasti është duke u hetuar”.
Situatë e qetë ka qenë edhe në Zubin Potok, ku në barrikadat e vendosura ishte hapur një korridor, derisa në tenda këtë të hëne ishte numër më i vogël i protestuesve.
E numër i vogël në Zubin Potok ishte edhe i policisë së Kosovës të cilët qëndronin para barrikadave derisa nga larg vëzhgohej gjithçka nga pjesëtarë të KFOR-it.
Situatë e qetë ishte edhe në komunën e Leposaviqit, derisa ende brenda objektit të komunës vazhdon të qëndroj kryetari, Lulzim Hetemi.
Në tri komunat protesta përfundoi rreth orës 16:00 ku protestuesit u nënshkruanin për pjesëmarrjen e tyre. /Gazeta10