
Emisioni “Kampionët” vazhdon edhe këtë të diel, kësaj radhe duke trajtuar temën rreth paraqitjes së klubeve kosovare në Evropë. Të ftuar në studio janë si çdo herë analistët e përhershëm: Faruk Statovci dhe Bekim Isufi, gjersa atyre i bashkohen edhe Muhamet Dragusha dhe Robert Gjeraj. Në lidhje telefonike i ftuar është edhe Valon Zymberi.
Gjatë diskutimit për klubet kosovare në arenën ndërkombëtare, foli edhe Valon Zymberi.
Ai tha se në Çeki udhëtuan për një rezultat pozitiv dhe se beson për kualifikim në ndeshjen e dytë.
“Ne nuk shkuam në Çeki për t’u dorëzuar, kemi marrë një rezultat pozitiv, andaj besoj në kualitetin e skuadrës dhe në “Fadil Vokrri” kërkojmë kualifikim.”, tha ai.
Tutje, ai foli pak për skuadrën kundërshtare.
“Klubi kundërshtar ka qenë shumë i mirë, ishte e vështirë të luajmë ndaj tyre, mospranimi i golit në atë ndeshje ka qenë sukses në vete pasi kemi vuajtur shumë”, shtoi ai.
Në vazhdim, Zymberi foli edhe për ndeshjen e kthimit ndaj Viktoria Plzen.
“Shpresoj dhe besoj që me ndihmën e madhe të “Intelektualëve” dhe sportdashësve në Kosovë, mund të arrijmë kualifikimin në fazën tjetër.”, përfundoi ai.
Drita, të enjten e 27 korrikit barazoi 0-0 me Viktoria Plzen në “Doosan Arena”, gjersa ndeshja e kthimit luhet në “Fadil Vokrri” më 3 gusht.