
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, inauguruan sot Zyrën Rajonale të Ministrisë në veri të Mitrovicës, një qendër e integruar që bashkon shërbimet kryesore për sektorin bujqësor dhe rural në një vend të vetëm.
Qendra funksionon sipas modelit “one-stop-shop” dhe përfshin shërbimet e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe shërbimeve këshillimore, duke synuar lehtësimin e procedurave, uljen e burokracisë dhe përmirësimin e drejtpërdrejtë të qasjes së fermerëve në mbështetje shtetërore.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti theksoi se hapja e kësaj qendre përfaqëson një hap konkret drejt një administrate më efikase dhe më të afërt me qytetarin, si dhe një investim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik lokal. Ai nënvizoi se konsolidimi i institucioneve në hapësira publike jo vetëm që ul kostot, por rrit ndjeshëm cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimeve.
Duke folur për përfshirjen e komuniteteve, Kryeministri theksoi se nga rreth 32 mijë fermerë përfitues në nivel vendi, rreth 3 mijë – ose afërsisht 10 për qind – janë nga komuniteti serb i Kosovës. “Kjo dëshmon se mbështetja shtetërore është e qasshme për të gjithë dhe se zhvillimi ekonomik është i përbashkët”, u shpreh ai.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, theksoi se kjo qendër është pjesë e një reforme më të gjerë për racionalizimin e hapësirave administrative dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve. Ai nënvizoi se modeli i integruar do t’u mundësojë fermerëve qasje më të shpejtë dhe më të drejtpërdrejtë në subvencione, këshillim profesional dhe mbështetje teknike.
“Po ndërtojmë një administratë që i shërben fermerit në mënyrë konkrete – më afër, më shpejt dhe më drejt”, theksoi Ministri Muja.
Hapja e kësaj qendre në veri të Mitrovicës konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e pranisë institucionale, rritjen e barazisë në qasje ndaj shërbimeve dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik në të gjitha pjesët e Republikës së Kosovës.


