
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Edhe zyrtarisht, nga 1 janari 2024, qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në zonën Schengen.
Të mërkurën në Strasbourg në mënyrë zyrtare është nënshkruar akti ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovës.
Dokumenti u nënshkrua nga presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola dhe ministrja e Suedisë, Jessika Roswall e cila e përfaqëson Këshillin e Ministrave të BE-së.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, në një konferencë për media euro-deputeti njëherësh raportuesi për Kosovën në çështjen e vizave, Thijs Reuten tha se padrejtësia ndaj Kosovës mori fund.
“Ishte e padrejtë dhe paarsyeshme dhe kësaj situate tashmë i ka ardhur fundi. Kosova ka punuar shumë për t’i plotësuar gjitha kushtet për liberalizim të vizave dhe përmbushur ato para shumë vitesh. Kjo nuk është moment shumë i rëndësishëm vetëm për Kosovën, por është edhe për ne, pasi Bashkimi Evropian përfundimisht e përmbush premtimin e vet dhe kjo është me rëndësi për rajonin pasi mund të hapim një kapitull të ri. Prandaj integrimi evropian për gjitha vendet e Evropës juglindore është garanci se këto reforma duhet të rriten”.
Reuten krahas kësaj, tha se nuk ishte i gëzuar me përfshirjen si kusht për liberalizimin e vizave me funksionalizimit të sistemit ETIAS në BE.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi tha se liberalizimi i vizave do ta afrojë Kosovën me Bashkimin Evropian.
“Ky ka qenë një proces shumë i gjatë, vështirë dhe me shumë pengesa rrugës. Për shumë vite kishte ngecur në Këshill dhe nganjëherë dukej e pamundur që të tejkalohej. Megjithatë ne bëmë argumentin tonë jo vetëm duke përmbushur kriteret, por Kosova ka përparuar në fushat e sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe menaxhimit të migrimit. Këto arritje nuk kanë mundur të injorohen dhe tejkalohen. Kemi punuar shumë me gjithë vendet anëtare që kjo të bëhet e mundur…Liberalizimi i vizave vjen me një sërë detyrimesh, kufizimi i mjeteve financiare, dokumentet që duhet t’i kesh me veti, numrin maksimal të ditëve të qëndrimit. Do të kemi tetë muaj për t’i informuar qytetarët për të gjitha kufizimet”.
Euro-deputeti dhe Bislimi diskutuan edhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, ku thanë se presin që BE-ja të merret me aplikimin e Kosovës dhe proceset të tjera integruese.
Të martë, Parlamenti Evropian kanë votuar pro liberalizimi të Vizave për Kosovën, që u mundëson qytetarëve të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen.