
Raporti: Bleona Dallaveraj
Sot janë bërë 15 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Kosovës. Për një dekadë e gjysmë akti më i lartë juridik u shkel disa herë, rrëzoi presidentë e qeveri. Ish-hartues të Kushtetutës e njohës të saj, thonë se aq sa është respektuar, po aq edhe gjatë viteve janë gjetur shkelje të saj, pasi janë vërtetuar nga Gjykata Kushtetuese.
15 vjet më parë, Kosova u bë me Kushtetutën e saj.
E vlerësuar si shumë modernë, me liri të madhe për qytetarët, sidomos për pakicat në vend, akti më i lartë juridik, nuk mbeti pa u sfiduar.
U shkel shumë herë, por edhe pësuan ata që s’e respektuan.
Në këto 15 vjet, u rrëzuan dy presidentë, Fatmir Sejdiu e Behgjet Pacolli, si pasojë shkeljes së Kushtetutës.
Ish-kryetar i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës së Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se akti më lartë juridik ka nevojë për respektim, por pse jo edhe për rishikim aty ku ka nevojë.
Edhe për njohësin e Kushtetutës, Mazllum Baraliu, ka vend për përmirësime e rishikim të saj.
Teksa, thotë se për këto 15 vjet, aq sa ka pasur respektim të saj, po aq ka pasur edhe shkelje.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës ishte miratuar me 9 prill 2008, teksa kishte hyrë në fuqi më 15 qershor të po atij viti dhe ka 14 kapituj dhe 162 nene.
Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaari. /Gazeta10/