
Prokuroria Themelore e Ferizajt ka nisur hetimet për tenderin në vlerë të 331,804 euro të kryetarit të kësaj komune, Agim Aliu e cila lidhet me aktivitetet e festës së 150 vjetorit të themelimit të qytetit.
Lajmin për Gazeta10 e bëri të ditur Vjosa Baftiu nga Prokuroria Themelore në Ferizaj e cila tha se hetimet kanë nisur ditë më parë.
“Lidhur me aktivitetin e prokurimit “Aktivitete, 150 vjetori i qytetit të Ferizajt”, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe rasti është në procedurë hetimore”, tha Baftiu për Gazeta10.
E kontaktuar nga Gazeta10, drejtoresha për Kulturë në Ferizaj, Xhemile Murati-Shabani tha se se nuk ka informacione për hetimet e nisura.
“Nuk qenkna e informuar, por çdo gjë që vjen është e mirëseardhur. Le të hetohen procedurat që janë në prokurim”, tha shkurt Murati për Gazeta10.
Qyteti i Ferizajt këtë vit do të festojë ditëlindjen e 150-të, përmes këtij tenderi komuna ka planifikuar të organizojë aktivitete të shumta kulturore. /Gazeta10
