
Në prag të përvjetorit të 17 janarit, datë e cila në Kosovë lidhet ngushtë me vrasjen e aktivistëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës, kryetarja e GUXO, Donika Gërvalla-Schwarz ka dhënë një deklaratë në Politiko, duke rikthyer vëmendjen ndërkombëtare mbi një prej kapitujve më të dhimbshëm dhe ende të pazgjidhur të historisë së Kosovës, shkruan Gazeta 10.
Gërvalla, e cila personalisht është lidhur ngushtë me këtë tragjedi, duke qenë vajza e Jusufit, tha se për të, periudha e fundit të dhjetorit dhe fillimi i janarit sjellin një ringjallje të emocioneve të thella, ku çdo vit reflektimi dhe dhimbje bashkohen. Ajo përshkroi se shumë kosovarë që nuk kanë të afërm pranë, por që kanë vuajtur përpjekjet historike për liri, e ndiejnë shumë fort këtë periudhë dhe e lidhin atë me kërkesën për drejtësi që zvarritet tashmë 44 vite.
Donika Gërvalla theksoi se vrasja ndodhi në Gjermani, në një kohë kur autoritetet gjermane ishin informuar, sipas saj, për rrezikun ndaj aktivistëve politikë dhe se policia gjermane kishte qenë e njoftuar për nevojën e mbrojtjes së veçantë, por kjo kujdesje nuk u sigurua. Ajo foli për dhimbjen e jetuar gjatë viteve me supozime, hamendje e teori të ndryshme, pa një drejtësi të qartë dhe pa llogaridhënie për autorët e vrasjes, duke përmendur se personi që ngriti gishtin nuk është në burg, shkruan Gazeta 10.
“Unë e di se çka do të thotë të jetosh 45 vjet me supozime, me hamendje, me bindje të ndryshme, me teori të ndryshme dhe ta dish se personi i cili ka ngrehë gishtin nuk ndodhet në burg” tha Gërvalla, duke theksuar se burgosja e autorit nuk e kthen askënd, as babain, as xhaxhain, as mikun e tyre, por nëse besojmë në sistem dhe drejtësi, kjo duhej të ishte minimumi.
Qëndrimi i saj reflekton një kërkesë më të gjerë për përballje me të shkuarën dhe për një sistem drejtësie që funksionon, veçanërisht kur bëhet fjalë për krime politike që kanë lënë gjurmë të thella në memorien kolektive të Kosovës.
Kujtojmë se sktivistët Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka u vranë në një atentat në Untergruppenbach në Gjermani, më 17 janar 1982, një ngjarje që ka ndikuar thellë në historinë politike dhe kombëtare të Kosovës dhe kujtohet çdo vit me ceremoni nderimi./Gazeta 10
Deklarata e plotë: