
Raporti: Bleona Dallaveraj/Kanal10
Rreth 10 mijë familje pritet të përfitojnë nga për qytetarë për pajisje efiçiente për ngrohje. Për këtë, Ministria e Ekonomisë ka ndarë 6 milionë euro. Ministrja Artane Rizvanolli ka thënë se me këtë masë, Kosova do t’i kursejë rreth 12 milionë euro gjatë periudhës së dimrit. Gjithashtu, ajo ka thënë se importi i rrymës, Kosovës do t’i kushtojë qindra miliona euro, por sipas njohësve të energjetikës, as kjo shumë nuk mund të evitojë reduktimet e rrymës, shkruan Kanal10.
Për dy javë, qytetarët e Kosovës, do të mund të aplikojnë për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje.
Për këtë, Qeveria e Kosovës ka ndarë 6 milionë euro, nga e cila shumë parashihet të përfitojnë 10 mijë familje, masë kjo e cila ka si synim zbutjen e krizës energjetike, që pritet ta përfshijë vendin gjatë sezonit së dimrit.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se subvencionimi do të përfshijë kaldajat me biomasë, përkatësisht dru, pelet, briket, pompat termike, kondicionerët efiçientë, si dhe stufat individuale efiçente me biomasë.
Sipas saj, kjo pritet ta ulë konsumin e energjisë gjatë kësaj periudhe, si dhe të kursejë 12 milionë euro.
Aplikimi për këtë subvencionim bëhet online përmes platformës e-Kosova, ku janë dhënë detaje për kriteret dhe specifikat teknike.
Ndërkohë, në këtë konference, Rizvanolli ka folur edhe për importin e energjisë elektrike gjatë muajve të dimrit, që pritet t’i kushtoje Kosovës rreth 316 milionë euro, mirëpo as kjo shumë nuk garanton se nuk do të ketë reduktime të rrymës gjatë kësaj periudhe.
Sa i përket importit të rrymës, Kanal 10 tash e disa ditë ka provuar të marrë përgjigje nga KEDS-i për kontratat e nënshkruara, por që nuk ka marr përgjigje.
E nevoja edhe për 728 mijë megavat për orë import shtesë, po vlerësohet të jetë e pamjaftueshme nga ekspertet e energjetikës, për shkak të mos sigurisë së blloqeve.
Krerë të ekzekutivit të vendit, vazhdimisht kanë përsëritur kohëve të fundit, se Kosovën e pret një dimër i vështirë, si pasojë e përballjes me krizën energjetike, derisa opozita ka hedhur kritika se Qeveria nuk i ka marr masat e duhura për të përballuar më lehtë këtë situatë./Gazeta10