
Dënimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale në Hagë ka zënë vend të rëndpsishëm në ballinat e mediave më të njohura të botës.
Agjencia e lajmeve Reuters ka titullin “Ish-presidenti i Kosovës Thaçi u dënua me 25 vjet burgim për krime lufte”.
“Gjykata e Hagës dënon ish-kryeministrin e Kosovës Thaçi për krime lufte, me 25 vjet burgim”, shkruan CNN.
“Të mërkurën, një gjykatë e mbështetur nga Bashkimi Evropian e shpalli fajtor ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për katër akuza për krime lufte të kryera gjatë luftës së vendit të tij për pavarësi nga Serbia dhe e dënoi atë me 25 vjet burgim. Thaçi, 58 vjeç, i cili dha dorëheqjen nga posti i tij gati gjashtë vjet më parë për t’u përballur me akuzat, u shpall fajtor nga një trup gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës për vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar. I veshur me kostum dhe kravatë, Thaçi qëndroi në heshtje ndërsa gjykatësi kryesues Charles Smith lexonte vendimin”, shkruan CNN.

Edhe mediumi prestigjioz britanik “The Guardian” vë theksin te vendimi kundër ish-presidentit Thaçi, me titullin “Ish-presidenti i Kosovës Thaçi dënohet me 25 vjet burgim nga gjykata ndërkombëtare e Hagës”.
“Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më pas presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim nga gjykata ndërkombëtare në Hagë, pasi është shpallur penalisht përgjegjës për krime lufte gjatë shkëputjes së dhunshme nga Serbia në vitet 1990”, shkruan The Guardian.

“Ish-presidenti i Kosovës dënohet me 25 vjet burgim” është titulli i gazetës zvicerane “Blick”.
“Vendimi pritej me padurim: të mërkurën, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën vendimin në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi (58 vjeç), dhe tre të bashkakuzuarve të tjerë. Ata përballeshin me akuza për krime lufte dhe torturë. Më pas, pak para mesditës, erdhi lajmi: Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim”, shkruan Blick.
Edhe mediumi amerikan “The Washington Post” përmend në titull dënimin e ish-presidentit, Hashim Thaçi.
“Gjykata e Hagës dënon ish-presidentin e Kosovës, Thaçi, me 25 vjet”, shkruan WP-ja.