
Raporti: Saranda Aliu / Kanal10
Për dhjetëra mësimdhënës, ky 7 mars ishte hera e fundit që do ta festonin në shkollë. Kjo pasi këtë vit do të pensionohen. I njëjtë ishte për arsimtaren e gjuhës shqipe, Gjylije Bala, e cila jep mësim në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë. Ajo me emocione ka treguar mundin e sakrificën që dha për 41 vjet kontribut si mësimdhënëse.
Kësaj shkolle i shërbeu për më shumë se katër dekada.
Por, emocionet e së martës ishin ndryshe nga herët e tjera.
Kjo pasi arsimtarja e gjuhës shqipe, Gjylije Bala, për herë të fundit do ta festonte 7 marsin në vendin ku e kaloi një pjesë të madhe të jetës.
Këngë e recitime u përgatitën nga nxënësit, që i shfaqën para atyre që ua kultivuan dijen.
E për të gjithë kontributin e dhënë arsimtarja Bala, u shpërblye edhe me mirënjohje.
Për krejt këtë e për 41 vite si mësimdhënëse, ajo shprehet e lumtur që në duart e saj kaluan breza që tashmë kanë poste të larta nëpër institucione.
Ajo ka treguar edhe momentet e vështira gjatë kohës së luftës, që pavarësisht rreziqeve e presioneve për ta ndërprerë mësimdhënien, dashuria për profesionin i mundi të gjitha sfidat.
Për arsimtaren e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë, nuk hezituan të flasin as nxënësit, të cilët tashmë janë gjenerata e fundit që do t’i përcjellë.
Për nder të kontributit për mësimdhënie, Komuna e Prishtinës ka dekoruar me mirënjohje dhjetëra mësimdhënës, të cilët këtë vit do të pensionohen.