
Takimet “urgjente” të thirrura nga Josep Borrel në Bruksel kanë përfunduar pa ndonjë marrëveshje të hënën pasdite vonë, pas 8 orë bisedash mes treshes Borrell – Kurti – Vuçiq.
Pas disa shtyerjesh të konferencës së Borrell, më në fund, njeriu i politikës së jashtme të BE-së ka dal para mediave duke u shprehur i zhgënjyer me fundin e takimit.
Sikurse ka raportuar Gazeta 10, ai ka thënë se “nuk ka marrëveshje për targat, meqë Kosova nuk e ka pranuar propozimin evropian për ta tejkaluar këtë situatë të ndërlikuar”.
Sipas tij, situata e sigurisë është me rrezik në terren dhe tepër fragjile që nga koha e verës.
“Pas shumë takimeve e bisedave, të dyja palët nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët” ka thënë ai, duke i bërë përgjegjëse Prishtinën dhe Beogradin për ndonjë tejkalim të mundshme të situatës së sigurisë.
Sipas tij, propozimin evropian të prezantuar në takim, e ka pranuar presidenti serb, por jo edhe kryeministri Kurti.
Duke e shpjeguar propozimin evropian, ai ka thënë se “pret që Kosova dhe Serbia t’i implementojnë menjëherë kërkesat e tij”.
Ai është shfaqur me kritika dhe i ashpër ndaj Kosovës.
“Ne do t’i informojmë shtetet anëtare, do të t’i informojmë kolegët e mi, ministrat për Punë të Jashtme dhe partnerët tanë për sjelljen e palëve të ndryshme dhe për mungesën e respektit ndaj obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe më duhet ta them këtë, vecanërisht për Kosovën” ka thënë Borrell./Gazeta10
KONFERENCA E PLOTË E JOSEP BORRELL