
Portieri i Ferizajit, Marko Jovanovski është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 25-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Jovanovski kishte bërë një paraqitje mjaft të mirë në ndeshjen kundër Trepçës ’89 dhe me intervenimet e tij, Ferizaj arriti të arkëtojë tri pikë mjaft të rëndësishme.
Gardiani maqedonas pasi mori çmimin e më të mirit të javës deklaroi se atmosfera në ekip është mjaft e mirë dhe se shpreson se klubi do të arrijë mbijetesën në elitën e futbollit kosovar.
“Normalisht qëllimi ynë është të qëndrojmë në Albi Mall Superligë. Edhe rezultatet në këtë stinor tregojnë se sa e mirë është atmosfera në klub. Më së vështiri është ta kthesh besimin tek njerezit, por ne këtë e kemi bërë falë paraqitjeve të mira në këtë stinor. Ne besojmë në arritjen e objektivit tonë dhe me lojërat e mira kemi bërë që të na besojnë e përkrahin të gjithë. Ky çmim është një shpërblim për angazhimin që po e bëjmë jo vetëm unë por e tërë skuadra, prandaj këtë çmim ua dedikoj të gjithë bashkëlojtarëve. Uroj që secili lojtar i FC Ferizaj ta marrë këtë çmim nga një herë dhe ajo çfarë është më e rëndësishmja në fund të kampionatit t’i gëzohemi të gjithë arritjes së objektivit – qëndrimit në Superligë”, ka thënë Marko Jovanovski.
Ferizaj gjendet në pozitën e tetë në tabelë në Superligë, me 27 pikë të grumbulluara.