
Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit i cili dyshohet se ia dogji garazhin gazetarit të RTK-së, Alban Selimi.
Lajmin për e ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj. “Për rastin e gazetarit Selimi, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit ndaj të pandehurit, për shkak të veprës penale “Zjarrvënia””, ka thënë Ulaj.
Tentim-djegia e shtëpisë së gazetarit Selimi kishte ndodhur të enjten në mbrëmje, ku rastin e kishte bërë të ditur vetë gazetari Alban Selimi përmes një postimi në Facebook, “Dikush ia vuni flakën; mem m’frikësu. S’ia arijnë qëllimit”, kishte thënë Selimi në Facebook.
Lidhur me këtë rast I dyshuari me inicialet A.L 42 vjeçar u arrestua të shtunën nga Policia e Kosovës. “Sot hetuesit e stacionit policor të Fushë Kosovës, kanë arrestuar një person të dyshuar për veprën zjarrvënie të raportuar me datën 16.03.2023, në Fushë Kosovë. Personi i arrestuar: A. L mashkull, 42 vjeç”, thuhej në njoftimin e policisë./BetimipërDrejtësi