Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Komunat e VV dalin kundër padisë së AKK ndaj dy ministrive të Kosovës

Gazeta10
23 August 2022 - 13:39

Katër kryetarët e komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, Podujeva, Gjilani, Kamenica e Shtimja, kanë dalë kundër padisë së ngritur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me moszbatimin e kontratës kolektive, raporton Gazeta10

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në një konferencë për media ka thënë se kjo padi e dëshmon se ASK-ja është kthyer në një vegël politike.

“Andaj, ne mendojmë se inicimi i kësaj padie nga ASK-ja edhe një herë dëshmon se ky AS është kthyer në një vegël politike, anti-qeveritare dhe larg misionit të tij që duhet ta përmbush në shërbim të komunave”, ka thënë ai.

Tutje, Bulliqi në emër të të gjithë kryetarëve aty ka thënë se janë të interesuar ta zgjidhin këtë problem por jo të lejojnë të keqpërdoret nga agjendat anti-qeveri.

“Ne si kryetarë të komunave jemi të interesuar që të gjendet zgjidhje për këtë problem që prek drejtpërdrejt punëtorët e sektorit publik, por jo të keqpërdoret nga një asociacion politik që shtynë përpara agjendat ditore të caktuara politike anti-qeveritare dhe të cilat s’e kanë fokus zgjidhjen e problemit”, ka thënë Bulliqi.

Tutje, i ka thënë se dihet se cila qeveri i ka nënshkruar këto kontrata.

“Dihet se cila qeveri i ka nënshkruar këto kontrata dhe sigurisht që në kohën e nënshkrimit, ky asociacion ka qenë i udhëhequr nga po këta njerëz dhe asnjëherë nuk e kanë ngritur zërin që ta zgjidhin këtë problem”.

Një ditë më parë në emisionin “Mëngjesi me Arben Ahmetin”, drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se kjo padi lidhet me moszbatimin e kontratës kolektive nga ana e Qeverisë së Kosovës ku përmes saj komunat po dëmtohen me shifra të larta financiare. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.