
Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, deklaroi se qëndrimi i vendit të saj që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, mbetet i njëjtë.
“Siç e përmenda edhe më herët, qëndrimi i Greqisë për Kosovën mbetet i pandryshuar. Politika jonë konstruktive ndaj Kosovës është në përputhje me atë pozicion, promovon zhvillimin dhe forcon stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.”, ka thënë ajo për gazetën serbe “Politika”.
Mes tjerash, presidentja greke theksoi se Greqia është e gatshme që ta mbështesë rrugën e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
“Greqia është e gatshme ta mbështesë në rrugën e marrëdhënieve të tyre dhe të kontribuoj në përpjekjen ndërkombëtare për të përmirsuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin për popujt e rajonit. Në këtë drejtim, ne mirëpresim progresin e arritur në dy takimet në Bruksel dhe Ohër me marrëveshjen e arritur mes dy palëve, si dhe për aneksin e zbatimit. Greqia është e gatshme të mbështesë Beogradin dhe Prishtinën në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të tyre dhe të kontribuojë në përpjekjet ndërkombëtare për të përmirësuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin për popujt e rajonit”, shtoi Sakellaropoulou .
Greqia është në mesin e pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës./Gazeta10