
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka përmendur disa prej kushteve që i ka subjekti i tij për arritjen e një marrëveshjeje për krijimin e institucioneve të reja.
Në Rubikon të Klan Kosovës, Abdixhiku ka veçuar disa shtylla, pa të cilat, sipas tij, bashkëpunimi do të ishte i vështirë.
Si pjesë të rëndësishme të këtij bashkëpunimi, ai ka thënë se gazi amerikan dhe pozicionimi pro-amerikan i Kosovës do të jenë parakushte të LDK-së.
“Orientimi strategjik, përfshirë dhe gazin amerikan është parakushti i ekzistencës politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës.”, ka thënë Abdixhiku.
Gjithashtu, Abdixhiku ka thënë se parakushte do të jenë edhe diskutimet për programin qeverisës.
“Ne duhet të flasim për programin qeverisës, duhet të flasim a do ta menaxhojmë Kosovën me fukarallak apo kemi projekt madhor për të transformuar këtë Republikë, du me bë projekte madhore zhvillimore ku nuk i dënojmë komunat e Kosovës, po i ndihmojmë qytetarët e Republikës së Kosovës. A du me bë projekte që e transformojmë këtë vend rrënjësisht, me rritje të investimeve kapitale, me projekte madhore”, ka thënë ai ndër të tjerash.
Abdixhiku ka shtuar se pasi të flitet për projekte, për parimet qeverisëse, për orientimet se si duket Republika e Kosovës në katër vitet e ardhshme, atëherë sipas tij, mund të flitet për pozita. /Klankosova.tv