Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Mbështetje e jashtëzakonshme e “Marshit për Drejtësi” (Video)

Gazeta10
31 March 2023 - 18:45

Raporti: Saranda Aliu
Sheshet e kryeqytetit do të jenë me dhjetëra mijëra qytetarë, të cilët do të marrin pjesë në “Marshin për Drejtësi”. Këtij aktivitet të organizuar nga platforma “Liria ka emër” i janë përgjigjur një numër i madh i institucioneve, partive politike, organizatave, bizneseve, shoqatave e të gjitha kategorive tjera shoqërore. Aty do të kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së dhe solidarizim me luftën e pastër të tyre.  

Mbështetje të madhe ka marrë iniciativa “Marshojmë për drejtësi”, që do të mbahet të dielën në sheshet e kryeqytetit, të cilët pritet të jenë plot me qytetarë.

Përmes këtij marshi që do të mbahet nga ora 14:00, do të kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.

Nga Platforma “Liria ka emër”, njëherësh organizatorët e këtij marshi, kanë bërë të ditur se kanë mbështetjen e mbi 50 organizatave joqeveritare, partive politike, komunitetit artistik, e shumë bizneseve e shoqatave të ndryshme.  

Dy ditë para mbajtjes së këtij marshi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ftuar të gjithë qytetarët që të bashkohen për t’u solidarizuar me luftëtarët e lirisë dhe për të kërkuar drejtësi për luftën e pastër të UÇK-së.

Nga shoqatat e dala nga lufta kanë thënë se përkrahja e luftës së UÇK-së dhe shokëve të tyre që po gjykohen për krime lufte nga Gjykata Speciale, është e rëndësishme për historinë vendit. 

Ani pse, kryetari i saj Albin Kurti, një ditë më parë ka deklaruar se nuk është në dijeni për organizmin e një marshi të tillë, të premten, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se do të mbështesë këtë nismë.

“Lufta jonë çlirimtare është prej ngjarjeve historike më të vlefshme që kemi. Falë kësaj lufte të drejtë, sakrificës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve dhe martirëve tanë, gëzojmë lirinë dhe shtetin që e kemi sot. Instanca të njëpasnjëshme gjyqësie kanë provuar ta gjykojnë luftën tonë çlirimtare por asnjëra nuk gjeti asgjë andaj edhe u formua kjo gjykatë e padrejtësisë speciale që po i mbanë krerët e luftës tonë në Hagë”, thuhet në njoftimi  e VV-së.

Përveç në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe luftës së pastër të tyre, do të organizohen marshe edhe në qendra të tjera të shteteve të botës.

Një i tillë do të mbahet të shtunën në New York, ndërkaq të hënën në Hagë.

Më 3 prill, do të nisë gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, pas më shumë se dy vjetësh të ndodhjes së tyre në paraburgim. /Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.