
Mbrojtësi i Prishtinës, Bujar Pllana është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 27-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Pllana kishte pasur një paraqitje fantastike në ndeshjen kundër Trepçës ’89 dhe ishte njëri nga lojtarët më meritorë që “Bardhekaltërit” arritën të arkëtonin pikët e plota në këtë takim.
Në sfidën kundër 89-shit, Pllana arriti të realizojë një gol dhe të asistojë në një tjetër.
Pllana u shpreh i lumtur për çmimin e fituar, por theksoi se në këtë edicion rëndësi kanë pikët për skuadrën.
“Është nder dhe kënaqësi që të shpallesh më i miri i xhiros në Albi Mall Superligë. Ky çmim nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e bashkëlojtarëve dhe trajnerëve, andaj i falënderoj shumë për mbështetjen. Kemi arritur t’i marrim 3 pikë shumë të rëndësishme për ecurinë e mëtutjeshme të kampionatit, duke synuar daljen në Evrope nga vendi i tretë. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe shpresojmë që të vazhdojmë me këtë ritëm dhe të arrijmë objektivin e klubit, daljen në Evropë”, ka deklaruar Pllana.
Prishtina renditet në pozitën e katërt në tabelë në elitën e futbollit kosovar me 38 pikë të grumbulluara.