
Raporti:Arbenita Ilazi/Kanal10
Subjektet opozitare e njohësit e çështjeve ekonomike, presin që Kushtetuesja ta rrëzojë Ligjin për Paga i cili hyri në fuqi në shkurt të këtij viti. Vendimi i Avokatit të Popullit është përshëndetur nga PDK e LDK duke thënë se ligji ishte diskriminues. Ndërkaq, për ekspertët mosmarrja parasysh e rekomandimeve nga ana e tyre ka bërë që ligji të shkojë në kushtetuese.
Subjektet opozitare presin që kushtetuesja ta rrezoj Ligjin për Paga i cili hyri në fuqi në shkurt të këtij viti.
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se në bazë të parashikimeve disa nga pikat e këtij ligji janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Ai pret që Gjykata Kushtetuese të merr vendimin e duhur.
Edhe anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri tha se Qeveria e Kosovës jo vetëm që dështoi të rrisë pagat në sektorin publik, por bëri padrejtësi të madhe përmes Ligjit të Pagave tek punëtorët e këtij sektori.
Tahiri pret që ky ligj të rrëzohet, në mënyrë që punonjësit në sektorin publik të kenë paga të dinjitetshme dhe të mos ketë diskriminime mes tyre.
I pajtimit se Ligji i ri i Pagave duhej të shkonte në kushtetuese, është shprehur edhe njohësi i Ekonomisë, Lulzim Beqiri.
Sipas tij numri i madh i ankesave dhe mosmarrja parasysh e rekomandimeve nga ekspertët lidhur me këtë legjislacion ka bërë që të shkojë në kushtetuese.
Ligji për paga, i cili hyri në fuqi nga muaji shkurt, e kishte vlerën e koeficientit 105 euro.
Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji në shumë sektorë janë shprehur pakënaqësi dhe janë mbajtur protesta.
Avokati i Popullit kishte pranuar 104 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik në lidhje me këtë ligj prandaj e dërgoi të premten në Kushtetuese./Gazeta10