
Liderë shtetëror e opozitarë e kanë përkujtuar njërën ndër betejat me të mëdha të UÇK-së, Betejën e Koshares. Presidentja Vjosa Osmanit tha se kjo betejë ruan vend nderi në kujtesën tonë kolektive, derisa kryeministri Albin Kurti, tha se përmes saj, u bashkuan fizikisht shqiptarët.
24 vjet më parë u bë thyerja e kufirit që bashkoi shqiptarët edhe fizikisht.
Beteja e Koshares, në 24 vjetorin e saj, u vlerësua si ndër me të mëdhatë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani, tha se ajo ishte njëra ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Rënia heroike e komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi dhe komandantëve e luftëtareve të tjerë, dëshmoi se Beteja e Koshares ruan vend nderi në kujtesën tonë kolektive. Përulemi para trimërisë dhe sakrificës së luftëtarëve të lirisë nga Poroji i Tetovës, Tirana e Tropoja, Tuzi e Presheva dhe vullnetarëve nga vende të tjera, të cilët iu bashkuan luftës së popullit të Kosovës për liri dhe dinjitet”, tha Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka kujtuar betejën e Kosharës, ka thënë se ishte një nga më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet në luftën e vendit për liri.
“Beteja e Koshares i ka garantuar UÇK-së një nga meritat më të veçanta të luftës, atë të thyerjes së kufirit mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, të vendosur më 1913 dhe të rivendosur disa herë ndër vite, që i kishte mbajtur të ndarë shqiptarët për gati një shekull. Qysh atë kohë lufte, kjo e lehtësoi kalimin e armatimeve dhe të trupave vullnetare të UÇK-së nga territori i Shqipërisë drejt Kosovës. Kurse pas përfundimit të saj njëkohshëm me vetë luftën, kjo betejë i përbashkoi fizikisht shqiptarët”, tha Kurti.
Lideri i partisë me të madhe opozitare, PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se do të jenë përherë mirënjohës ndaj ushtarëve dhe të rënëve të betejës së Koshares.
“24 vite qëkur ushtarët e Brigadës 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të udhëhequr nga heroi Agim Ramadani, i dhanë fund ndarjes së kombit shqiptar, duke thyer kufirin Kosovë – Shqipëri. Kjo ngjarje shënon fillimin e një prej betejave më të lavdishme të UÇK-së – Betejës së Koshares, e cila forcoi shpresën dhe ngriti moralin në mesin e popullit të Kosovës”, tha Krasniqi.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me rastin e 24-vjetorit të Betejës së Koshares, tha se se nderojnë çdo ushtar të rënë të UÇK-së.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, me rastin e 24-vjetorit të Betejës së Koshares bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare.
Haradinaj u shpreh se Epopeja e Koshares ka qenë vendimtare për epilogun e luftës së UÇK-së.
Beteja e Koshares, më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shënuar jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i kishte hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në Kosovë.