Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Vendos Supremja: Qytetarët kanë të drejtë t’i kërkojnë paratë që iu faturuan për rrymën në Veri

Gazeta10
13 April 2023 - 12:39

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, lidhur me faturimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për rrymën e shpenzuar, por të pa-paguar në katër komunat veriore.

Sipas aktgjykimit të Supremes, konsumatorët që kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, kanë të drejtë për kthimin e këtyre mjeteve, raporton Gazeta10.

Supremja ka konstatuar se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, drejtë e kanë vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë kanë aplikuar të drejtën materiale me mënyrën e vendosjes, përkatësisht aprovimin si të bazuar të kërkesëpadisë së paditësit Avokati i Popullit, dhe anulimin e vendimit të ZRRE.

“Prandaj, nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mos pasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, sepse nuk justifikohet që qytetarët tjerë për këto arsye të ngarkohen me pagesën e energjisë elektrike të harxhuar pa një bazë ligjore. Prandaj me këtë faturim dhe pagesë është bërë trajtim jo i barabartë i qytetarëve të Kosovës, e që bie ndesh me nenin 55 par. 4, të Kushtetutës, trajtim i pabarabartë, të cituar si në aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta, sepse është bërë kufizim i të drejtave të njeriut. Andaj bazuar në nenin 194 të LMD, konsumatorët, të cilët pa bazë ligjore dhe pa dijeninë e tyre janë faturuar dhe kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, u lindë e drejta për kthimin e shumës së paguar si kanë vendosur gjykatat e instancave më të ulëta”, ka njoftuar Supremja./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.