
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas raportimieve në media se një zyrtar i dikasterit të tij e kishte përdorur parkingun e Qeverisë si “Rent a Car”.
Sveçla tha se ka kërkuar nga Policia e Kosovës të fillojë hetimet për të gjitha shkeljet ligjore.
“Pas një pune të shkëlqyeshme të gazetarëve në demaskimin dhe shpërfaqjen e keqpërdorimit të aseteve shtetërore nga një zyrtar përgjegjës që do të duhej të siguronte mbarëvajtjen e punëve të transportit dhe parkingut të objektit të Qeverisë, menjëherë kam kërkuar nga Policia e Kosovës të fillojë hetimet për të gjitha shkeljet ligjore”, ka shkruar ai.
Tutje, Sveçla ka thënë se do të kërkojë auditim për shfrytëzimin e këtij parkingu.
“Po ashtu, nga dita e parë e punës do të inicioj auditim të jashtëzakonshëm për shfrytëzimin e këtij parkingu. Në të njëjtën kohë edhe Komisioni Disiplinor pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, duhet të angazhohet për të identifikuar të gjitha shkeljet dhe të ndërmarrë masat e parapara me ligj”, ka shkruar ai./Gazeta10