
Zyra e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti e ka konfirmuar lajmin e krijimit të Komitetit të Përbashkët Monitorues për zbatimin e marrëveshjes së dakorduar në Ohër për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi dhe Aneksin e zbatimit të saj.
Kosovën në këtë Komitet mbikqyrës në kuadër të procesit të dialogut do ta përfaqësojë ambasadori kosovar në Bruksel, Agron Bajrami ndërsa Serbinë kryenegociatori, Petar Petkoviq, transmeton Gazeta10.
“Siç parashihej dhe në pikën 6 të Aneksit të Zbatimit, Komiteti do të themelohej 30 ditë pas takimit të nivelit të lartë të Dialogut në Ohër, të mbajtur muajin e kaluar me datë 18 mars. Komiteti i Përbashkët i Monitorimit do të kryesohet nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Vendi ynë do të përfaqësohet nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ndërsa Serbia nga kryenegociatori Petkoviq.”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Tutje thuhet se ky Komitet do të zhvilloj takime të rregullta në Bruksel, ndërsa takimi i parë i tij do të mbahet pas takimit të radhës Kurti-Vuçiq më 2 maj.
“Komiteti do të mbajë takime të rregullta në Bruksel. Termat e Referencës pritet të finalizohen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të zhvillohet në javët në vijim, pas takimit të radhës të nivelit të lartë. Ndërkohë takimi i radhës i nivelit të lartë në procesin e dialogut është i planifikuar të mbahet në Bruksel, më datë 2 maj.”, njoftoi Qeveria.
Marrëveshja Kosovë-Serbi është arritur më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa pajtueshmëria për aneksin e zbatimit, më 18 mars nga Kurti e Vuçiq në Ohër./Gazeta10