
Real Madridi dhe Milani janë dy gjysmëfinalistët e parë të Ligës së Kampionëve për këtë edicion. Reali mposhti Chelsean në “Stamford Brigde” me rezultat 0-2, ndërsa edhe Milanit i mjaftoi një barazim si mysafir ndaj Napolit me shifrat 1-1 për të siguruar gjysëmfinalen.
“Los Blancos” triumfuan edhe një herë me rezultat 0-2 ndaj Chelseat, për të kaluar tutje me rezultat të përgjithshëm 0-4.
Seria e golave në këtë ndeshje u hap në minutën e 58-të, kur Rodrygo kaloi skuadrën madriliene në avantazh.
Po zhvillohej minuta e 80-të e ndeshjes, ku në skenë doli sërish sulmuesi brazilian për të dyfishuar epërsinë e skuadrës së tij.
Në anën tjetër, skaudra tjetër që ka siguruar gjysmëfinalen është edhe Milani, pasi barazoi ndaj Napolit në stadiumin “Diego Armando Maradona” me rezultat 1-1.
“Rossonerët ” kaluan në avantazh në minutën e 40-të, ku Rafael Leao pas një depërtimi fantastik asistoi për Giroud, i cili e dërgoi topin në rrjetë.
Napoli në fund të takimit barazoi shifrat me anë të Osimhen, por që nuk arriti të kalonte tutje.
Reali e Milani mësojnë nesër kundërshtarët e tyre në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.